Çdo gjë kthehet

Çdo gjë kthehet

Shpërndaj:

Ju jeni pjesa më e bukur e jona. Ndaj unë jam shumë e kujdesshme kur më jepet kohë të flas përpara jush, që ta çmoj në radhë të parë për vete dhe më pas të zgjedh fjalët më të mira që i përkasin kësaj ndjesie, e që ju përkasin edhe ju.

I jam bashkuar Programit Tungjatjeta, të World Vision, rreth dy muaj më parë. Nuk hezitova në fakt, për asnjë moment, dhe iu pëgjigja kërkesës për Ambasadore të këtij Programi me shumë dëshirë, sepse më pëlqen të ndjehem e dobishme, më pëlqen kur përpiqem, më pëlqen të ndihmoj, atë që ju bëni rregullisht nëpër qytezat ku jetoni dhe ju përgëzoj fort për këtë.

Takova Selmën, vajzën 4 vjeçare që nuk mund të ecë nëpër rrugët e pashtruara të fshatit Dardhë të Librazhdit, por sytë i ecin me kilometra të tëra….dhe në emër të saj bëmë thirrjen që të dhuroheshin 400 Lekë në muaj – thirrje që e ripërtërijmë edhe sot – për të gjithë fëmijët që jetojnë në kushtet e pamundësisë, që ne t’i ndihmojmë sado pak. Jo për mëshirë, por për të drejtën që kanë, dhe dinjitetin me të cilin duhet të trajtohen.

Me shumën e mbledhur do t’u ofrohen disa shërbime bazë mjekësore dhe sociale aty ku jetojnë. Por unë përtej kësaj, do t’ju them dy gjëra:

Shqipëria e vërtetë nuk është ajo e Bllokut, nuk është ajo e instagramit, luksit, veshjeve apo botoksit. Shqipëria e vërtetë jeni ju. Shqipëria e vërtetë është çdokush prej jush që kontribuon për veten dhe shoqërinë, mobilizon kë të mundet, që t’i dalë krah atij që dhunohet, t’i shtrijë dorën atij që është i sëmurë, atij që është i varfër, apo qoftë edhe atij që është i ndrydhur.

Ju nuk jeni ndjekës. Ju jeni lider. Duhet ta besoni fort këtë sepse të ndihmosh është forcë e jashtëzakonshme karakteri, dhe jo dobësi apo naivitet.

Përtej idesë së mbledhjeve të fondeve për këta fëmijë, pa përmendur atë që shteti duhet të jetë kolona kryesore e mbështetjes, ky Program duhet të ndërgjegjësojë.

Ndaj, është e rëndësishme që ta flisni të mirën me zë të lartë dhe ta përcillni te të njohur dhe të panjohur, sepse është e nevojshme në ditët tona, si uji që pijmë. Jetojmë në thatësirë ndjenjash njerëzore dhe ju mund të jeni bulëzat më të pastra të një revolucioni human. Do t’i jepni shpresës një arësye për t’u mbajtur e gjallë, dhe atyre që e kanë të domosdoshme, një forcë për të jetuar.

Asnjë prej jush nuk ka nevojë për piedestale virtuale. Piedestalin më të fuqishëm njeriu e ndërton brenda vetes. Zgjeron zemrën dhe aty hedh themelet. E asaj i jep sy për të parë, dhe veshë të dëgjojë. Ndaj ata që e kanë zemrën oqean, shohin gjëra që tjerët nuk i shohin dhe dëgjojnë fjalë që për të tjerët janë të shurdhëta.

Ndjesia është pak si kjo historia…

U hap lajmi në fshat se një burrë kishte hapur një dyqan ku shiteshin zemrat e bukura. Lajmi mori dhenë. Cfarë bën kjo zemra?

Punon më mirë thanë njerëzia. Gjaku përhapet në tërë trupin dhe jeton shëndetshëm. Po tjetër? Ndihmon në kohë të vështira, zbukuron fytyrën, zbukuron lëvizjet, trashëgohet, dhe bën miq të vërtetë. Dorëzohen para saj, të mëdhenj dhe të vegjël.

Vrapuan gra e burra për ta blerë. Sa e shet? Unë mund të ta blej gjithë dyqanin, i tha një i pasur. Shitësi buzëqeshi.

Një djalë i ri u afrua dhe i tha: Ma jep mua. Ta kthej prapë. Është e jotja, i tha shitësi. Dhe ia dha.

Çdo gjë do ju kthehet.

4 Shtator 2017

 

Leave a comment