Fjalët e mirënjohjes

Shpërndaj:

Kam kohë që dua të bëj një shkrim për mirënjohjen. Ose më saktë, sa e rëndësishme është ta njohim dhe ta shprehim atë. Paevitueshmërisht përplasem çdo ditë me njerëz mirënjohës dhe mosmirënjohës. Me këta të fundit, mundohem mos të merrem fare dhe i largoj nga vetja ashtu siç fryjmë pluhurin nga parvazi i dritares. Nuk mund të gjej tjetër krahasim. Për më tepër këto pluhurat humbasin në hapësirë, e nuk kanë as luksin të ngelen në leckë. Tamam si mosmirënjohësit. Njerëzit më të humbur të këtij rruzulli.

Diku pata lexuar se skulpturat e antikitetit, e ravijëzonin mirënjohjen me figurën e një gruaje, e cila mban në njërën dorë buqetë me lule dhe në tjetrën bizele të jeshilta. Pranë ka një lejlek, simbol i pjellorisë dhe i fatit të mbarë. Të mos harrojmë se bizelet janë perimet e para që janë përdorur nga njerëzit….flitet për lashtësinë e 5000 vjetëve përpara Krishtit. Dua të them, se njerëzit e hershëm e kanë krahasuar me hijeshinë e një femre, i kanë dhënë ngjyrat e larmishme të luleve dhe begatinë e ushqimit dhe të fatit të bardhë. Diçka kanë ditur.

Isha dëshmitare e një veprimi mirënjohjeje këtë rradhë. Babai i një mikeshës sime shumë të dashur nuk ka qenë mirë me shëndet së fundmi. Jam mërzitur pak me thënë të drejtën, sepse e gjithë familja bën pjesë në jetën time si njerëz që i kam shumë për zemër. Për më tepër, ky zotëri fisnik, gojëmbël dhe me mendje të mençur, gjithnjë është shquar si njeri vital dhe shumë i kujdesshëm për veten. Kategoria e zotërinjve të dikurshëm financierë, për të cilët kravata e lidhur me përpikmëri çdo ditë, ishte simbolikisht mënyra e përballimit të jetës…. Me hir dhe me rregull.
Po më tregonte se herë pas here, atë e merrte në telefon një mik i vet i rinisë, të cilin kishte kohë që nuk e kishte parë. E pyeste me durim për vaktet nëse i kishte ngrënë, e pyeste për gjumin në e bënte të rehatshëm. Dhe në një nga këto ditët i tha: “Të falenderoj për interesimin miku im. Nuk do të të harroj dhe do të të jem mirënjohës përherë”.

Unë – mjerisht dhe lumturisht në të njëjtën kohë – e ngjizur që në embrion me ndjeshmëri të theksuar karshi këtyre detajeve të fshehura të shpirtit human, i thashë më zë të ulët se miqtë të tillë janë.  Ndërsa, ai shtoi me zë më të ulët se timin :”Mirënjohja e dashura ime….. duhet njohur dhe duhet thënë”. Më emocionoi zotëria, duke ditur sa vuan një njeri i shëndetshëm kur nuk e ka shëndetin. Por më emocionoi ende më shumë thellësia e zërit dhe e zemrës me të cilën i tha këto fjalë. Si e njeriut më të shëndetshëm në botë. 

Lum ai që është mirënjohës. Edhe për një gotë ujë. Ne e marrim dhe e pimë, pa e kujtuar dorën që na e dha. Shuajmë etjen. Thajmë ndjesitë.
Përtojmë të themi fjalë të dashura, dhe nuk e kuptojmë se mirënjohja është ndër të paktat virtyte që kultivohet. Eshtë burim optimizmi, mirëqënieje, ekuilibri, përulësie të domosdoshme përpara një vepre të mirë, sado e vogël.

Shkenca njerëzore e trumbeton këtë farëzim të vyer gjatë dhjetëvjeçarit të parë të jetës së një fëmije, por përvoja tregon se njeriu e mëson mirënjohjen, edhe kur kanë filluar t’i zbardhen nga pak flokët. Dhe atëherë, kokën e kthen pas. 

Republished Blog/Ndër Mejtime

By Arlinda Çausholli 

Leave a comment