Dear Kobe/I dashur Kobe
Xhoen Tugu
Para se të nisja këtë letër, ose shkrim, quaje si të duash, jam menduar shumë nëse duhet ta shkruaja në shqip ose anglisht. Më pas mendova prapë, çfarë do të bënte Kobe nëse do të merrte një letër në shqip nga një djalë 20 vjeçar, për të cilin nuk ka dëgjuar kurrë? Me shumë mundësi, do të mësoje diçka nga gjuha shqipe, të paktën sa për të kuptuar këtë letër. Dhe prandaj njerëzit të deshën kaq shumë…
Para saktësisht një jave, unë dhe e gjithë bota mori një nga lajmet më të
hidhura të kohëve të fundit. Kobe Bryant, së bashku me të bijën Gianna dhe 7
persona të tjerë, ndërruan jetë pas përplasjes së helikopterit të tyre, i cili
po shkonte drejt një ndeshjeje për të reja në basketboll. Nuk munguan letrat si
kjo, videot e pafundme apo historitë që e bënin Kobe Bryant të ishte Kobe
Bryant. Lexova se si Gilbert Arenas, një ish-lojtar, do t’i përkushtohej
trainingut (të qenit trajner), vetëm sepse ti ja kishe sugjeruar këtë gjë
dikur. Pashë fotografi dhe video nga të katër cepat e botës duke të të bërë
homazh, me graffiti apo fusha basketbolli të dizenjuara enkas për ty.
Kobe, unë nuk isha tifozi yt më i madh. Dhe fatkeqsisht, nuk kisha “Mamba
Mentality” si ty përsa i përket basketbollit, të cilin e lashë para më shumë se
2 vitesh për 1001 arsye. Këto 1001 arsye në sytë e tu, do të ishin thjesht
justifikime të pavlera të cilat do të bënin të ecje më fort përpara, për të
realizuar ëndrrën tënde. Por, dua të të falenderoj. Sepse shumë njerëzve si unë,
djem dhe vajza, të rinj apo të moshuar, ju dhe forcë për të ndryshuar diçka
sado të vogël në jetën e tyre, ose të paktën për të bërë një gjë më shumë. Pra,
i injektove botës sado pak nga kjo Mamba Mentality, që ty të personifikonte kaq
shumë.
I dashur Kobe, ti më bëre të reflektoj për jetën, se sa duhet të jemi mirënjohës
që e kemi, jo vetëm tonën, por dhe ato të njerëzve pranë nesh. Ata që kemi afër
do të na ndihmojnë për të na shtyrë përpara, por në fund të ditës, ne si njerëz
kemi kontrollin e vetes dhe të vendimeve që marrim. Megjithëse, disa gjëra
fatkeqisht, duket sikur janë të shkruara…
Besoj thellësisht se parajsa, ose një gjë e përafërt me të, ekziston, dhe ti do
jesh lodhur gjatë kësaj jave aty duke luajtur një kundër një me Draẑen
Petrovic. Por jam i bindur që do e kesh shijuar, me Giannën e cila do të jetë
lumturuar duke parë babanë e saj duke luajtur përsëri.
Ne,
njerëzit, do të të kujtojmë shpesh, dhe do të kemi mundësinë t’u themi fëmijëve
tanë se kemi parë Kobe Bryant duke luajtur e duke na magjepsur me çdo të
lëvizje të tij. Sepse legjendat si ty nuk vdesin kurrë. Ata vijojnë të
qëndrojnë në kujtimet tona, të rrënjosur përgjithmonë…
I dashur Kobe, faleminderit
#Mambaforever