Fjala e hapjes, Bienale e Arkitekturës së Kosovës

Fjala e hapjes, Bienale e Arkitekturës së Kosovës

Shpërndaj:

Kam nderin që në emër të Asociacionit së Arkitektëve të Kosovës, të hap ceremoninë e ndarjes së çmimeve prestigjozë për arkitekturën e 13 kategorive që do të shpalosen sot përpara jush, dhe do të marrin formën e duhur të vlerësimit njerëzor, ndonëse vlerësimi më i mirë për çdo krijim, përfshirë arkitekturën, është koha.

Unë do të ndaj me ju përpara se të fillojmë, dy mendime, sa për të sjellë në dimensionin që duam këtë ceremoni, dhe të gjithë profesionistët që besojnë te puna që bëjnë, besojnë te Kosova dhe besojnë tek e ardhmja.

Kam patur dhe kam përherë një respekt të veçantë për arkitektët, për krijimtarinë, për mendjen e bukur dhe për shpirtin e finesës që ata kanë. Nuk e di pse shumica e këtyre mendjeve të bukura, janë meshkuj, por mua, edhe pse jemi në prag të Festës së Gruas, kjo gjë më jep buzëqeshje dhe siguri, e cilado arkitekte që është pjesë e këtij grupimi, është vlerë e paçmuar e së tashmes dhe së ardhmes së një populli. Ndoshta ngaqë mashkulli është pak si themelet e një ndërtese, ndërsa muret, çatia dhe ndriçimi janë gruaja.

Sonte janë 60 nominime që garojnë për 13 kategori të ndryshme: Ndërtesat e Banimit, Administratës, Arsimore/Edukative, Art/Kulturës, Hotelerike, Industriale, Agrokulturë, Komerciale, Mjekësore, Rekreative, Urbane, Interior, Ndërhyrje, dhe do kemi edhe Çmimin Kryesor të Bienales.

Ka një veçanti, sa demokratike aq dhe fisnike. Profesionistët do të votojnë për njëri-tjetrin dhe fituesi do të dalë nga gjykimi i kolegut. Ndaj çmimet, nuk do të kenë etiketime të panevojshme, por do të kenë përkrahës dhe mbështetës, që ky profesion duhet t’i ketë me shumicë.

Di që arkitekti ende nuk njihet si profesion i licensuar në Kosovë, dhe unë shpresoj fort se kjo Bienale që ka mbledhur profesionistët e pasionit, që ka mbledhur mendjet më të bukura të formës së ndërtesave, të jetë ogur i mirë që të gjithë palët e përfshira në këtë proces sa të rëndësishëm për Kosovën, aq edhe për dinjitetin e një profesionisti, të bëjnë një hap përpara dhe të mbarojnë një cikël që duhet të kishte mbaruar kohë më parë: Licensimin e profesionit të arkitektit. Ndryshe, çmimet do të varen nëpër muret e pavlera dhe ne do të bëjmë darka e ceremoni me trofe pak të mangëta apo të cunguara.

Përgëzoj organizatorët për ndjeshmërinë, të gjithëve ju për pjesëmarrjen, Presidentin e Republikës që është mes nesh sonte dhe ambasadorët e pranishëm në sallë që na kanë nderuar.

Ceremonia e Ndarjes së Çmimeve të Arkitekturës, Prishtinë, 6 Mars 2019

Leave a comment