Trashëgimtarët

Trashëgimtarët

Shpërndaj:

Gjyshin tim, nga im atë, e thërrisnin baron. Në vitet ‘30 Shqipëria nuk kishte tituj dhe ofiqe, por miqtë e kishin pagëzuar për fisnikërinë e pamjes dhe inteligjencës, personalitetin e fuqishëm dhe elegancën e lindur të një aristokrati. Figurë e gjatë dhe autoritare, por njerëzve u fliste të gjithëve me fjalë të përkora përuljeje dhe dashamirësi ngjitëse. Mbante një bastun në dorë, shenjë e modës burrërore të kohës. Një punim druri ngjyrë kafe. I lustruar mjeshtërisht mund të them, sepse e kam parë vetë.

Mendoj se të ecje me bastun, duhet të kishe harmoni ritmike të brendshme që të dukeshe bukur. Duhej të kishe edhe hire mashkullore të spikatura. Por ai i kishte. Me kapelen “Republikë” të qepur te terzia në Trieste dhe këpucët prej lëkure të butë të blera në Firence, përpinte nga të katër anët e Shkodrës admirimin e të njohurve dhe të panjohurve. Prapa linte derën e madhe të Çaushollëve të rrethuar me lulet e Shkodrës: luleborë dhe sharmashek.

Unë e kam njohur në fëmijërinë time të vonë, kur hyri mundimshëm në Shqipëri në 1982, pas 43 vitesh emigrim. Historia e tij është e rrallë, siç janë misteret ballkanese, dhe besoj do jem me fat, nëse do mundem ta shpalos rrëfenjën e tij në të ardhmen.

Gjyli, kështu quhej gjyshi im, mjek në profesion, u vendos në një apartament në Tiranë dhe rifilloi të jetonte me gjyshen time, e cila kishte rritur denjësisht tre djem – krejt e vetme – dhe e kishte pritur me vetmohimin unik të një gruaje të dashuruar marrëzisht pas tij.

Komiteti i Partisë i dha një apartament diku përtej Shkollës së Baletit me emrin gjithmonë të çuditshëm për veshët e mi: parafabrikat. Ndërtesat më të përbuzura për kohën. Kësaj here nuk qe dhe aq fatlum.

Duke u përshtatur me vështirësi me kufizimet mendore dhe ushqimore të atyre viteve, nga shëtitjet nëpër pjacat italiane apo bulevardet berlineze, gjyshi im i dashur, që shkeli tokën e amëshuar 74 vjeç, nga kati i katërt i parafabrikatit, filloi të kërkonte pronat që i kishte konfiskuar regjimi. Ndër të tjera, bëhej fjalë për një shtëpi vere që e kishte ndërtuar buzë detit, diku në Shëngjin.

Nga 1983 deri më 1991, vit kur ai pushoi sytë dhe zemrën, makina e shkrimit “Olivetti”, ngjyra blu e së cilës më kujtohet ende, prodhonte kërkesa për rikthimin e pronës së tij. Shkruante me një gegnishte të pastër dhe stil të sofistikuar. Por kërkesat “absurde” irrituan njerëzit e partisë. Ndaj, e përzunë me kërcënim policie nga Tirana dhe e dërguan në vendlindje, në Shkodër. Trishtimi ia transformoi ngjyrën e syve. Nga e blertë në gri të vrarë. Ç’mu kujtua sërish bastuni…!

Pas viteve 1990, im atë, pinjoll në të gjitha kuptimet i derës së dikurshme të luleborës dhe sharmashekut, u mundua shumë ta rimerrte këtë shtëpi të bekuar. I takonte familjes. Mjerisht, pushoi së jetuari në 1997, shumë i ri për të ikur, me një tufë letrash e tapish të mbështjella me kujdes në cep të dhomës. Entuziast i pashërueshëm, dashurues i jetës dhe besues ndaj njerëzve, asnjëherë nuk e humbi optimizmin se prona do të shkonte tek i zoti…. Më ka marrë malli për të dy.

Viti 2012. Kërkesat janë të njëjta, vetëm me një ndryshim. “Olivetti” është zëvendësuar me një kompjuter. Përpjekjet titanike për të rimarrë pronat e familjes vazhdojnë. Kalvar biblik, më keq se sytë prej grije të humbur të gjyshit tim. Endem nëpër zyra të papastra dhe takoj njerëz që nuk e meritojnë të kenë në dorë fatin e ardhmërisë së pronës time (çmoj kush më ka ndihmuar sadopak).
Dhe ka shumë si unë.

Jam e vetëdijshme se këto rrjeshta nuk do të ndryshojnë gjë. Por kisha dëshirë, t’i hidhja ca fjalë këndimi për t’i treguar etërve të mi, se po përpiqem. Pavarësisht se nuk mund të mos shkrehem së brendshmi, kur lexoj listat e legalizimeve me emrat e atyre njerëzve, që nuk u munduan shumë të bëhen zot të vendit ku zunë të jetojnë. Pavarësisht se shoh shumë pronarë të rinj nëpër qytete dhe komuna, që ndotin ajrin me fjalë të pagdhendura dhe të varfra, apo trupa asimetrikë me gjymtyrë të shpërvjela, që rrinë pahijshëm nëpër tavolinat e kafeneve, dhe u flasin ashpër njerëzve që kanë përreth. Me pronën, kanë hipotekuar edhe arrogancën.

Ne, trashëgimtarët e vërtetë të pronës, dhe qytetarët e mirë të kësaj Shqipërie, që rrojmë me integritet dhe me punë të ndershme, duhet të firmosim si pronarë. Jo të gjithë e kanë forcën për të përballuar shijen e hidhur të mohimit të së drejtës themeltare të njeriut. Ky cikël i zvargur dhe i padenjë për askënd, do të ishte e udhës të mbyllej me ne. Fëmijët tanë, duhet vetëm të kujtojnë se janë trashëgimtarë dejesh të stolisura me gjak të mirë, të patjetërsueshëm.
Në mos, derën e madhe, luleborën dhe sharmashekun.

Leave a comment