NJË ARKË ME MUNICION APO ME ËNDRRA?

NJË ARKË ME MUNICION APO ME ËNDRRA?

Shpërndaj:

Më 28 Shkurt 1997, Vlora u kthye në një qytet kaotik ku qindra protestues të revoltuar sulmuan ndërtesën e SHIK-ut dhe e dogjën plotësisht. Sulmet filluan pas njoftimeve se studentët e Universitetit të Vlorës që kishin hyrë në grevë urie do sulmoheshin nga policia dhe do nxirreshin me forcë nga godina universitare. Banorët e Vlorës sulmuan depot e armëve dhe u armatosën deri në dhëmbë. Bilanci ishtë tragjik: 9 të vdekur, nga të cilët 6 oficerë dhe 3 civilë dhe mbi 30 të plagosur.

Kujtoj mirë telefonatat e asaj nate me kolegët e Associated Press duke organizuar udhëtimin për në jug. Po atë mëngjes, duke u gdhirë 1 Mars 1997, bashkë më kolegen amerikane Colleen Barry, u nisëm për Vlorë nga Tirana, në një kalvar udhëtimi që ishte nën një diell çuditërisht vere, por dhune në hyrje të çdo qyteti, sidomos Fier dhe Lushnjë. Automjetet me targa të Tiranës gjuheshin me gurë dhe njerëzit ishin shpërfytuar në ndasi shqiptare, plaga që Shqipëria vuan edhe sot.

Grupime njerëzish me maska dhe armë bllokonin në Lushnjë dhe Fier çdo makinë që kalonte. Ndësa bënim para me vështirësi, vështroja shoferin e taksisë, një zotëri i vjetër, që më përsëriste vazhdimisht sa ishte penduar që kishte marrë atë udhëtim me ne, ndërsa Colleen ishte mbledhur në pjesën e pasme të makinës dhe përpiqej të kuptonte rrethanat dhe lëvizjet tona.

U thashë bashkëudhëtarëve të mi që do dilja të flisja me njerëzit që pengonin hyrjen në qytet. Shoferi më pa me sy të çakërdisur, por i thashë të ishte i qetë. Negociuam butësisht – e pazakontë për kohën dhe natyrën njerëzore në ato rrethana – me komandantët e grupimeve që kishin bllokuar rrugët, e si duket butësia fitoi sepse tre makina na hapën rrugën dhe na shoqëruan me besnikëri deri tek Ura e Mifolit mbi të cilën nuk kalohej. Ura ishte e minuar dhe njerëzit e kishin bllokuar.

Aty, shoferi i taksisë refuzoi të hynte në Vlorë. Por ne nuk u ndalëm. Hipëm në një benz të verdhë, 180, (ngjyra e verdhë më paska ndjekur gjithmonë) ku e drejtonte një djalë i shëndoshë, me flokë të gjata të zeza, e me kanotierë të bardhë. Do të ndiqnim një rrugë tjetër që e përshkonte Vlorën nga periferitë. Unë u ula sërish në vend të parë, e kolegia ime amerikane në sediljen prapa.

E falenderova për rrugën që po na ofronte deri në qytet. E ndërsa e falenderoja, te këmbët e mia rrokulliseshin rreth 20 granata dhe dy pistoleta. E në kokë rrokullisej gjithë dëshira dhe ideali i gazetarisë së terrenit në një mendim të vetëm: Vlora dhe raportimi i lajmit të vërtetë në kushte ekstreme të përplasjes së njerëzve me njëri-tjetrin.
Shumë të rinj. Frikë Zero. Pasion Infinit.

Armët shiheshin bollshëm nëpër në rrugët kryesore të qytetit, por shumë njerëz të ndershëm takova ateherë. Zërin e një djaloshi vlonjat që na shoqëronte e kam të paharruar edhe sot. “Do të të mbroj unë me gjithë vëllezërit e mi”, më përsëriste vazhdimisht, ndërsa rrinte në krahun tim.

Kur endeshim nëpër rrugët e Vlorës, pamja e një fëmije jo më i madh se 10-vjeç që tërhiqte një arkë me municione, u kthye në simbolin e vetëm të imazheve të mia të Shqipërisë së atëhershme. Arka ishte e rëndë dhe ai e tërhiqte me shumë mundim. Lëre, i thashë, dhe shko në shtëpi. Më tha se nuk mundem. Më ka porositur babai të mbrohemi. Përgjigja e tij m’i mori fjalët.

Nga kush? Mendova me vete.
Pikërisht nga kush?

Akoma nuk ka përgjigje për 1997, as me njerëz as me fakte. Vetëm me pasoja të frikshme atëherë për vendin. Pas falimentimit të firmave piramidale, anarshia i kërciti dhëmbët. Nga hapja e të gjitha depove të ushtrisë u morën 650 mijë armë luftarake të të gjitha llojeve që nisin nga pushkët e deri te tanket si dhe 2 miliardë municione që nisnin nga fishekët, granatat e deri te predhat. Nga e gjithë trazira, u vranë 1555 persona dhe u numëruan 10 mijë të plagosur, ushtarakë, policë dhe civilë gjatë përplasjeve me armë dhe nga plumbat qorr.

Netët i kalonim tek Hotel Bolonja ku u bashkuam edhe me disa gazetarë të tjerë të huaj. Shtriheshim në tokë, pasi plumbat përshkonin godinën dhe ruheshim vazhdimisht larg dritareve.

Shtetrrethimi u shpall një ditë më vonë, më 2 Mars 1997. Ne na evakuan në Itali me helikopterë ushtarakë. Nga dritarja e helikopterit shihja një tokë të plasur nga marazi që zvogëlohej e zvogëlohej dhe e tillë vazhdon të mbetet edhe sot, megjithëse fasada ka ndryshuar….pa bosht e pa leksione të mësuara, ndonëse të pësuara. Shtrëngova krahët e kolegëve që kisha afër Arben Çeli dhe Hektor Pustina, si për të ndarë me ta dhembshurinë për ditët, ngjarjet dhe Shqipërinë vetë. Çeli nuk jeton më sot, porse jeton në kujtimet e atij udhëtimi dhe të shumë të tjerëve që ne gazetarët e terrenit na pasuruan me mbështetje, me humanizëm e me solidaritet të rrallë mes njëri-tjerit.

Gjithmonë Shqipëria ka vuajtur nga ndasitë. Malok, katundar, qytetar, vlleh, çam, fshatar, musliman, katolik, ortodoks, tropojan, gjirokastrit, vlonjat, demokrat, socialist, e pafund etiketime, një pjesë e madhe e të cilave përmbajnë në vetvete një duhmë negativiteti dhe përbuzjeje. U çanë dhe u përçanë shqiptarët pak nga sundimi komunist, e pak nga mbulesa politike që vuan edhe sot, nga të njëjtët emra të vjetër dhe trysni që këtë vend nuk e çuan përpara, por e zhytën nën tokë shtatë pashë.

Më se 2.5 milionë shqiptarë nuk arritën asnjëherë t’ia besojnë vetes së ardhmen e Shqipërisë dhe të fëmijëve, porse vetëm të tjerëve. Edhe sytë ia besuan atyre që nuk kishin sy. Mendjen, atyre që e kishin të mbrapshtë dhe që nuk prodhuan asnjë gjë të mirë për këtë vend që t’i jepte edhe sot shpresën e dritës, kur dritë e diell ka me bollëk.

Shqiptarët që sakrifikojnë për familje deri në asht, nuk arrijnë të mendojnë se familja ka zgjatimet e veta edhe jashtë mureve të shtëpisë, aty ku fillojnë oborret e rrugët e përbashkëta dhe ku është filizi i bashkimit dhe humanizimit të njerëzve të thjeshtë. Kjo është fuqia e vetme dhe më e madhe e jona.

Arlinda Çausholli

Leave a comment