Rikthimi kalorsiak i Marubit

Rikthimi kalorsiak i Marubit

Shpërndaj:

Jam në gjendje të përhershme kureshtjeje të njoh ndjesinë e brendshme të Gegë Marubit në 1970-ën, kur i dorëzoi një shteti që nuk e meritonte të kishte zë në histori, trashëgiminë e jashtëzakonshme të dinastisë ku bënte pjesë, përfshirë vlerën e paçmuar të 500 mijë negativëve.

Përtej dhimbjes së qenësishme të një profesionisti vizionar, pyetjet e tij duhet të jenë lidhur edhe me të ardhmen e këtyre fotografive, që përpos karaktereve dhe imazheve në to, ishin dëshmi të gjalla jete, solemniteti, etnografie, pasurie apo lidhjeje njerëzore në Shqipërinë e asokohe.

Po çdo gjë rikthehet. Dhe këtë herë fotot e Marubit nuk shpalosen në muze, ku dy fije te holla filispanje mbajnë hijen e rëndë të imazheve bardhezi – ndonjëhere sepje – të luftëtarëve apo emrave të njohur për kohën. Marubi iu kthehet qytetarëve. Në një Muze Virtual, me dy klikime kërkimi, nga çdo cep ku gëlojnë shqiptarë, paraardhësit tanë zënë e shfaqen në një paradë hijeshie historike të fundshekullit IX dhe fillimeve të shekullit XX.

Rreth 45,000 fotografi zgjuan nostalgjinë e familjeve të njohura të Shkodrës këto ditë, ku pasioni i katalogimit fenomenal të Pjetër, Kel dhe Gegë Marubit, u përcoll nga shtatë qytetarë shkodranë që me devotshmërinë e një pune pa zhurmë, dixhitalizuan çdo imazh, çdo datë dhe çdo emër të kahershëm për t’i hedhur në lundrimin virtual të sotëm.

Marubët u shërbyen qytetarëve për 112 vjet. Nuk besoj se Pjetër Marubi e nisi punën e tij profesionale me qëllim biznesi në vetvete, pasi nuk arrij ta shpjegoj dot saktësinë e ekzistencës së çdo fotoje, me emër dhe datë shkrepjeje. Më tej, zelli i pashembullt i Gegës për të shënuar në letër çdo të dhënë të fotografive në celuloid, dha rezultate të shkëlqyera në identifikime personazhesh dhe ngjarjesh. Tre artistët, mund të klasifikohen pa hezitim, si ndër statisticienët më të famshëm të kohës, të artit të fotografisë.

E këtë nuk e prodhon paraja. Këtë e prodhon dashuria e pakushtëzuar për njerëzit, dëshira për të njohur, për të hulumtuar, për të zgjedhur të bukurën, dëshira për të dhuruar – të palëvizur – një moment jete që nuk kthehet më. Këtë e prodhon forca e ruajtjes së identitetit kombëtar, humanizmi, dhe largëpamësia që këto cilësi të jenë të destinuara për trashëgim…….Dhe ishin tre nga ne. 

Arlinda Çausholli

Leave a comment