Emri im, guximi im

Emri im, guximi im

Shpërndaj:

Në kulmin e shqetësimeve publike gjatë kësaj pandemie, kur kemi humbje në njerëz dhe ekonomi, një muaj e ca më parë një mikrofons i ashtuquajtur gazetar investigativ i emisionit Stop, hyri me dhunë dhe me kamera të ndezur në aeroport. Të gjithë kolegët e mi e dinë se në aeroport duhet një leje e posaçme për të filmuar, sepse të dhënat e njerëzve që kalojnë aty, janë të mbrojtura dhe duhet të ruhen. Emisioni u dha mbrëmë.

Gjatë gjthë këtyre viteve, lejen, kolegët e dinë se e kanë patur dhe e kanë me pashë, brenda të gjitha kushteve dhe rregullave. Ndërkohë, të dërguarit të emisionit, edhe pse iu lut të largohej me shumë edukatë, ulëriste me të madhe. Më vjen keq që nuk e kishte filmuar dhe veten. I besoj njerëzit që humbin durimin para sojit të tillë, që thërret me zanore të holluara deri në luhatje tingujsh të panjohur. Një lloj deformimi zanor, kur njerëzit u shërbejnë interesave vetjake dhe shkallmojnë ato publike.

Aeroporti është kompani private dhe zgjedh vetë me kë të punojë për t’u shërbyer pasagjerëve me ushqim apo pije, subjekti i mbrëmshëm i emisionit. Por nuk dua të ndalem këtu, sepse e gjithë historia është e neveritshme dhe aktorët i njohin mirë detajet dhe presionin e madh që po bëhet ndaj një institucioni, që fundi i fundit nuk është kafe, por aeroport dhe ka të tjera prioritete. Nuk e mbroj. Unë punoj aty, siç punoj me dhjetra nisma të tjera që kanë kuptim dhe që shfaqin një princip njerëzor që quhet etikë dhe respekt.

Do ndalem te gazetaria kusare që vjedh pamje, përflet dhe nxjerr pa kurrëfarë etike minimale, njerëz që nuk kanë dhënë leje për t’u shfaqur në ekran. I ftoj, të mos guxojnë më të shkruajnë emrin tim, për të mbuluar pamjet e kota të interesave të tyre të vogla dhe pa asnjë interes publik.

Punoj që në 1993 në media dhe sigurisht kemi pasur tjetër ideal e tjetër qasje me lajmin dhe interesat për transparencë. Kemi kaluar vitin 1997, bashkë me kolegët e mi, mes plumbash në Vlorë, apo në Tropojë, kur konflikti me Kosovën përshkallëzohej. Udhëtonim me armë, jo me mikrofon. Dhe sërish, etika nuk na braktisi asnjëherë. Sigurisht, që kohët e sotme nuk kanë vlerën e dikurshme të lajmit, me ndonjë përjashtim.

Por nuk më shqetëson një individ apo disa të tjerë që nuk kanë vlerë as në sytë e mi, as në sytë e ndershëm të shumë të tjerëve dhe as ndonjë reputacion kombëtar për të lënë gjurmë. Më shqetëson, se këta lloj tipash kanë mikrofon në dorë.

Më trishton mungesa e ligjit, dobësia e zbatimit të tij, uzurpimi i pronës së tjetrit dhe përdorimi apo kusaria ndaj emrave dhe imazheve të personave të ndryshëm me qëllim që mbulohet një analfabetizëm i gjatë dhe i pakthyeshëm i një gazetarie të ashtuquajtur investigative, qoftë në shërbim e qoftë në qëllim.

Nuk dua ta mendoj se çfarë do të ndodhte në një aeroport tjetër të huaj, me atë çka pashë unë atë ditë – më 8 Maj 2020 – me thirrjet pa etikë dhe pa kurrfarë edukate të një media, që përfaqësohet me një individ apo disa. Emrave nuk do u jap fare rëndësi, sepse muri im është i vizatuar për emra të vlefshëm dhe mendja, është destinuar dhe stërvitur për vepra humane që lartësojnë njerëzit të cilëve u shërbej. Me atë çka bëj më mirë: fjalën, për të gjitha moshat dhe profesionet.

Arlinda Çausholli

Leave a comment