SA VLEN JETA?

SA VLEN JETA?

Shpërndaj:

Arlinda Çausholli

Në një bisedë me miq, nga ato darkat e mira me shqiptarë të mirë, m’u tha se sot në Shqipëri, ku institucionet janë në përgjumje dhe presim të na zgjojnë ndërkombëtarët, jeta ka vlerën e një kokërr fasuleje.

Unë me agronominë nuk i kam punët mirë. E shumta, çfarë më rrok syri më pëlqen dhe e përjetoj me ngazëllim jetën e çdo gjallese, megjithatë kultivimi i bimëve është art më vete. Por pa modesti, them se kultivoj mendimin dhe besoj çdo gjë fillon që aty.

Po përpara e pyeta? Cila ka qenë vlera e jetës? Zotëria në fjalë është një punëtor i madh dhe ndershmërinë ia lexon fare qartë. Ish-emigrant, nga ata që iu qepën maleve bashkë më kushërinj, shokë, të njohur dhe të panjohur, për të kapërcyer kufirin nga Gjirokastra deri në Greqi në vitet 1990.

Përpiqeshim tha, nuk u dorëzuam. Na kthenin, me hir dhe pahir. U nisnim prapë. Nga pas akoma dëgjoj zërin e prindërve që më uronin rrugën e mbarë, për të disatën herë. Zëri vinte i përkujdeshëm, jo fort bindës, por bindjen e kishim me vete, bashkë me çantën e rrobave. Nuk ta jep njeri besimin dhe as ta dhuron. Ndaj, kuptimin ia dhamë jetës vetë, tha.

Ecnim në këmbë, të uritur e të djersitur, kemi udhëtuar me ditë të tëra, kemi lundruar me një varkë me lopata në orët e errëta të natës nga Saranda dhe shtynim përpara në ujërat e Jonit. Çaheshin ujërat me tërsëllim e pa pushim vetëm në sajë të krahëve të fuqishëm të dy djaloshëve që nuk kam për t’i harruar asnjëherë bashkë me 20 shqiptarë, ndër të cilët gra dhë fëmijë, me të cilët do emigronim drejt Korfuzit.

Buka na mbaronte, por guximi dhe shpresa asnjëherë jo. Dhe as ndihma…

Një ditë të dielë, po kërkonim afër Igumenicës një furrë buke, ecnim kuturu si në një planet tjetër. Kishim ditë pa ngrënë. 3 shqiptarë në 1994. Tre nga një milionë që ikën nga Shqipëria. Dalluam një djalë të ri që ecte me ngut në anë të rrugës. Flokët i bashkoheshin në formën e bishtit të pëllumbit, pasaporta e figurës mashkullore atëherë. E pyetëm ku mund të blinim për të ngrënë. Eshtë pushim dhe dyqanet janë mbyllur, na u përgjigj në shqip. Por mos u mërzisni dhe zgjati çantën e bukës së vet që mbante poshtë krahut. Unë kam bukë në shtëpi, hani ju. Dhe na përshëndeti. Nuk e harroj as atë, tha gjirokastriti, bujar me mirënjohjen.

Kishte kuptim jeta pra. Për zgjimin, për një jetë me të ardhme, për shpresën e njerëzve të fortë e të mirë, për guximin e paepur të rënies dhe të ngritjes sërish. Kanë sakrifikuar shumë bashkëkombas jetën dhe familjen për mirëqënie, për dëshirën për të punuar dhe jetuar.

Mos ta nënvleftësojmë veten. Indi i dikurshëm rron tek të gjithë ne. Sa krahë janë shtrirë për ndihmë, nuk e dimë sepse nuk e përmend njeri. Sot lexon vetëm urrejtje, por mos ta harrojmë se ku ka sakrificë ka edhe mbështetje. Ndaj t’i ngrohim mendimet bashkarisht, pa parti, sepse partia e vetme që ekziston sot është Shqipëria.

Foto: Corbis

Leave a comment