Ngrihu dhe shkëlqe

Ngrihu dhe shkëlqe

Shpërndaj:

Do të desha të të ndihmoja ndryshe, por vetëm këto rrjeshta kam. Uroj të lexosh të njëjtën dashamirësi dhe pastërti me të cilën janë shkruajtur, dëshirë dhe urim që ti t’ia dalësh mbanë. Nuk dua të ithtohesh, as ta ithtosh zemrën sepse kripa tret gurin….Dua që ta mbash zemrën det, aq sa e ke….që kripa të tretet në të. Dhe ti të ndjesh vetëm shijen, jo gëlltitjen. 

E di që po kalon moment të vështirë. E di që ke qenë lart dhe je plandosur në tokë apo je zhytur në nëntokë, kjo për dreq pa asnjë arësye, apo ndoshta një fati të kthyer me kurriz (kurriz me kocka të dala keq). Por unë e ndjej, që përtej të gjithë mundit dhe ndihmës që i ke dhënë vetes dhe të tjerëve, do t’ia dalësh mbanë. Mos pyet se kur. Unë besoj fort te ty siç besoj te lumturia, që ti, i ke të gjitha cilësitë e drejta për të qenë një njeri i qetë dhe i jetës. 

Mos u dorëzo. Mos u lësho. Mos e humb shpresën. Mbaje kokën lart dhe do shohësh se çdo gjë do të shkojë ashtu siç e meriton ti dhe njerëzit që varen nga ti. E di se ndjehesh i vetmuar edhe kur je në mes të njerëzve, e vetmia ndjehet si pesha e një varëseje të rëndë në qafë që do ta heqësh vazhdueshëm, por pa dobi. Mjerisht miku im, duhet të ecësh bashkë me të. Do të bjerë vetë…prit dhe shih. Sytë do të të hapen dhe do të ndjehesh më i fortë. E pak më vonë në kohë, do t’u tregosh nipërve e mbesave, historitë e vogla dhe të mëdha që ta shkundën ditën, muajin apo vitin, me të njëjtën buzëqeshje të përmbajtur që zbukuron fytyrën e një njeriu të sprovuar dhe të mbajtur mirë. Siç mban shkopi i drunjtë fidanin e brishtë që nuk ka asnjë forcë të rrijë në këmbë…. do të të mbajë dinjiteti.

By Arlinda Çausholli

Leave a comment