FOL!

FOL!

Shpërndaj:

Qytetërimi i një vendi matet me mënyrën se si i trajton gratë dhe vajzat. Qytetërimi i një vendi matet se si komunikojnë qeveritarët dhe media. Qytetërimi i një vendi matet me nivelin e cilësisë nëpër shkolla dhe si komunikohet në klasë.

Kam takuar të rinj të të gjitha moshave falë Fit For Future, mësues të përkushtuar dhe më pak të përkushtuar, mësues në mëdyshje, por me dëshirë për të arritur te fëmijët siç duhet, prindër në udhëkryq me dhjetra pikëpyetje për edukimin e brezit të ri dhe shumë, shumë vajza.

Njeriu është i etur për respekt, sidomos këtu tek ne, ku qyteti harliset me modele të tmerrshme në media dhe lëngon në mënyrën më primitive në provinca dhe në zonat më të thella.

Ndrydhja është e ngulitur thellë te çdo fëmijë, pavarësisht se lëvizjeve të gjalla dhe të folurës papushim. Ndjeshmëria e shoqërisë mungon, sepse mungon humanizmi dhe thelbi i çfarëdo lloj edukimi mbetet mbjellja e respektit për veten – te çdo qënie – te vendosmëria për të kundërshtuar një veprim që cënon të drejtën e një fëmije, por edhe te  foleza ku të kërkojë ndihmë në rast se ndihet I pafuqishëm. Pra te një sistem apo institucion, apo më e rëndësishmja familja.

A përfaqësohemi nga shteti? Jo. A përfaqësohemi nga policia? A ndihem e mbrojtur në një vend ku është  vetëm 28 mije kilometra katror, por mllefin, urrejtjen dhe babëzinë e ka me miliona kub?

Kush i kontrollon shkollat? Kush i kontrollon ngarkesat e mësuesve? Kush i emëron njerëzit që punojnë nëpër shkolla? Psikologët si zgjidhen dhe çfarë bëjnë? Një nga pjesëmarrësit në Fit For Future, 14-vjeç, tha se psikologia e shkollës merr mungesat, na pyet si jeni dhe pastaj na shpërndan. Sesioni nuk zgjat as 10 minuta.

A ka lëndë në shkolla që mësojnë estetikën, respektin, komunikimin, të drejtat, kundërshtimin, protestën qytetare.

Jam dëshmitare e drejtuesve të paaftë shkollash që kërkonin servilë tek nxënësit dhe jo frymën apo mendimin e lirë dhe ndryshe, siç jam – fatmirësisht – edhe dëshmitare e mësuesve të jashtëzakonshëm që japin frymë te fëmijët nëpër zona, ku edhe shkëmbi është tharë nga thatësia e syve që nuk kanë ngjyra më për të parë.

Shqipëria është në një nga degëzimet e veta më të rrezikshme, sepse nuk ka një frymë të përgjithshme që të injektojë nëpër shkolla kultin e njeriut të thjeshtë, dëshirën për ta rritur mirë, edhe pse me nota jo të mira.

Shqipëria gjendet në periudhën më të varfër të pandjeshmërisë sociale, që shfrytëzon në masë çdo arritje seksuale ta ngrejë në lavdi meshkujsh dhe ta ndajë me lagjen që të fitojë famë e emër. Këto janë mungesa të një sistemi që shfrenoi lirinë dhe mbolli instikte që kanë lidhje me njeriun deri sa i mban dy këmbë dhe jo katër.

Ndaj kërkohet ndjeshmëri. Ndaj kërkohet edukim bazik, në vend të teorive të pafundme të lëndëve që sjellin bezdi dhe aspak vlerësim. Ndjeshmëria duhet trumbetuar dhe duhet mësuar, pavarësisht se ka dalë nga moda. Mund të ketë dalë nga moda, por del nga zemra dhe aty është fitorja vetjake e njeriut të pamoshë.

Leave a comment