Ambasadore e World Vision - Albania & Kosovo
I jam bashkuar Programit Tungjatjeta, të World Vision, pak kohë më parë. Nuk hezitova në fakt, për asnjë moment, dhe iu pëgjigja kërkesës për Ambasadore të këtij Programi me shumë dëshirë, sepse më pëlqen të ndjehem e dobishme, më pëlqen kur përpiqem, më pëlqen të ndihmoj, atë që shumëkush e bën në heshtje e rregullisht nëpër qytezat ku jeton.
Takova Selmën, vajzën që nuk mund të ecë nëpër rrugët e pashtruara të fshatit Dardhë të Librazhdit, por sytë i ecin me kilometra të tëra….dhe në emër të saj bëmë thirrjen që të dhuroheshin 400 Lekë në muaj – thirrje që e ripërtërijmë edhe sot – për të gjithë fëmijët që jetojnë në kushtet e pamundësisë, që ne t’i ndihmojmë sado pak. Jo për mëshirë, por për të drejtën që kanë, dhe dinjitetin me të cilin duhet të trajtohen.
Me shumën e mbledhur do t’u ofrohen disa shërbime bazë mjekësore dhe sociale aty ku jetojnë.
Besoj fort, se Shqipëria e vërtetë nuk është ajo e Bllokut, nuk është ajo e instagramit, luksit, veshjeve apo botoksit. Shqipëria e vërtetë është çdokush prej jush që kontribuon për veten dhe shoqërinë, mobilizon kë të mundet, që t’i dalë krah atij që dhunohet, t’i shtrijë dorën atij që është i sëmurë, atij që është i varfër, apo qoftë edhe atij që është i ndrydhur.
Ju nuk jeni ndjekës. Ju jeni lider. Duhet ta besoni fort këtë sepse të ndihmosh është forcë e jashtëzakonshme karakteri, dhe jo dobësi apo naivitet.
Përtej idesë së mbledhjeve të fondeve për këta fëmijë, pa përmendur atë që shteti duhet të jetë kolona kryesore e mbështetjes, ky Program duhet të ndërgjegjësojë.
Ndaj, është e rëndësishme që ta flisni të mirën me zë të lartë dhe ta përcillni te të njohur dhe të panjohur, sepse është e nevojshme në ditët tona, si uji që pijmë. Jetojmë në thatësirë ndjenjash njerëzore dhe ju mund të jeni bulëzat më të pastra të një revolucioni human. Do t’i jepni shpresës një arësye për t’u mbajtur e gjallë, dhe atyre që e kanë të domosdoshme, një forcë për të jetuar.
P.S
Selma jeton ne qender te Librazhdit tani, dhe merr fizioterapi dhe sherbim.
(pjesë nga fjalimi për të rinjtë)
#perselmen #worldvision #ambassador #helpchildren