Luiza Gega fitoi Medaljen e Artë të atletikës në kalimin me pengesa në 300 metra, duke u shpallur Kampione e Europës në garat e Mynihut. Pengesat që kapërcente Gega me një lehtësi të frikshme janë rezultat i një pune më shumë 20 vjeçare në kushte ku Shqipëria nuk ofron ende një pistë vrapimi dhe ku stërvitja e saj zhvillohet në asfalt, në kodrat e liqenit të Tiranës, apo në rrethinat e kryeqytetit.
Gara e saj e mrekullueshme që emocionoi një stadium të tërë në Gjermani, ne na gjeti të papërgatitur sepse koha jonë është e zënë me kronikën e zezë apo agjencinë e funeraleve në të cilën është kthyer një sistem politik dhe social, në dëm të shëndetit mendor të një populli të tërë. Por me sa duket jo për Luizën. Ajo nuk u ndal asnjëherë, me modestinë e një gjeniu dhe krahët e një ëndrre të madhe që nuk njeh pengesë, nëse punohet pa fjalë e pa pretendime.
“Do të jenë duke vallëzuar në Tiranë” tha komentatori i garës ndërsa flamuri shqiptar mbështolli supet e saj të fitores. Tirana dhe Shqipëria kanë halle të tjera more zotni. Ne vallëzojmë kur na thonë, e qajmë kur na shtrëngojnë.
Je krenaria jonë Luiza. Je emri i bukur i Gegëve dhe Toskëve dhe i gjithë njerëzve që në këtë vend punojnë pa u ndjerë dhe me thjeshtësi pranojnë dritat Led mbi ta e kamerat 3D, duke e ditur se të shkosh të lumturia apo dhimbja e tjetrit do mençuri e finesë, do hapa të ngadaltë, sepse është përvoja, triumfi apo dhe humbja e një njeriu të vetëm mbi sagën e pengesave që Shqipëria ofron për sportin, kulturën, artin, edukimin dhe çdo gjë tjetër që njerëzit të zbuten e të afrohen me njëri-tjetrin, e me jetën e mirë që e kanë të drejtë të gjithë.
#luizagega #europeanathletics #albania #champion
22 Gusht 2022