Kronikë e një dite të re

Kronikë e një dite të re

Shpërndaj:

Pas një muaji, gjyshërve u erdhi radha të bëjnë ca hapa të avashtë e të butë. Pas një muaji lajmesh e paralajmërimesh nga qeveria për t’u mbyllur në shtëpi e për t’u mbrojtur nga Covid-19, lagjja jonë u gjallërua sot në ditën më të re e më të bukur të sajën.

U mbush me humanizëm, me qetësi, me durim dhe me koka të bukura të bardha, që mbanin afër dhe larg njëri-tjetrin. Tashti që ajri është pastruar e bori makinash nuk ka, ca ekuacione me të panjohura janë – të dukshme – e bëhen të njohura.

Ai X na i merr mendtë e jetën shumë herë….porse gjithmonë kam menduar se fillimi dhe fundi janë dy pikat që lidhin rrugë apo një proces.

Në një muaj – më në fund – është folur për jetë njerëzish më shumë se ç’është folur për 70 vjet. E unë përforcoj mendimin se fëmijët dhe të moshuarit janë faktori X, që ne të vazhdojmë rrugëtimin e sfidën për një jetë më të mirë. Fëmijët për kurajon që na japin për të lënë trashëgiminë e dlirtë nga pas, dhe gjyshërit për thesarin që na mban përditë, heshturazi, pa zhurmë, por me kujdesje, tolerancë e dashamirësi dhe për të panjohurit, si zotërinjtë në këtë fotografinë që ua rrëmbeva gjithë qejf.

Kjo kohë është dhuratë. Kjo ditë e re është dhuratë, për ta përcjellë, për ta ndarë, për ta vlerësuar e për të menduar se ka kohë plot për të bërë gjërat të mira, përpjekje që fillon me fëmijët e mbaron me gjyshërit. Nëse sytë do t’i kemi nga të dy palët, do ta kemi më të lehtë të reagojmë. Fëmijët na mësojnë që të mos paragjykojmë, t’i gëzohemi gjërave të vogla dhe t’i kërkojmë ato. Gjyshërit na mësojnë fjalën e ëmbël, pranimin e asaj çka nuk mund të ndryshohet dhe guximin për të ndryshuar atë që mundet. E për më tepër, na japin sigurinë e dashurisë që ata janë gjithmonë aty, duke pritur gjallërimin e një dite të re.

Siguri në dashuri. Sa e rrallë është? Mos ta marrim të mirëqenë. Rrofshin e u gëzofshin gjithmonë.
#arlindaçausholli

Leave a comment