Leku dhe Ne

Leku dhe Ne

Shpërndaj:

Arlinda Çausholli

Dikur, ajo çka më pëlqente në Shkodër kur bëheshin dasmat, ishte dita kur zbrazej paja tek nusja dhe valixhja e boshatisur kthehej sërish në shtëpi. E mbaj mend mirë, sepse valixhja shkundej në duart e mia nga mospesha dhe unë vrapoja ta hapja. Nuk e di pse gjithmonë e kujtoj të veshur nga brenda me copë atllasi të kuq. Mbase ngaqë ishte e njëjta valixhe që qarkullonte në të gjithë fisin në raste martesash. Por, pavarësisht kësaj, ca mendje të bukura të krushqisë, e mbushnin me karamele, llokume, ca punime te vogla filigrami e soj-soj gjërash të tjera, që për mua kishin shumë më vlerë sesa paja e bërë me aq mundim nga zonjat e fisit në atë kohë të varfër. Nuk isha e vetmja, sepse pas kurrizit tim vraponte e gjithë familja për të soditur krijimin “falenderues” të radhës, të mbyllur në një hapësirë boshe.

Të kesh apo të dish? Të kesh apo të ekzistosh? Kujtimi im ekziston falë atij momenti krijimtarie në një valixhe bosh. Nuk mbaj mend asnjë copë palltoje të pajës apo këpucë të blera nën dorë. Jo se isha fëmijë dhe e painteresuar për to. Përkundrazi. Kam qenë gjithnjë e dhënë pas gjërave të bukura, por kujtimi u mbajt në këmbë nga vlera e cilësisë, jo e sasisë. Eshtë instiktive. Vetëm se do kohë për ta kuptuar dhe për ta njohur.

Ne nuk kemi më kohë. Asnjë nuk ka kohë.

Pse dhe a duhet përkthyer çdo gjë në para? Paraja, është e domosdoshme deri në momentin që është në shërbimin tonë, por mesa duket po kthehemi në rob të saj, e në këto rrethana, vështirë të shërbejmë si prind, si bashkëshort e si mik. Jemi kthyer në shërbëtorë, ashtu pa e kuptuar dhe dalngadalë. Dhe më pas çuditemi që kur mbarojnë ato të shkreta, nuk bie më asnjë telefon. E njeriu ndjehet më i vetmuar se kurrë. Sepse u kemi shërbyer ca letrave pa shpirt, por me fuqi të përkohshme.

Paraja, sigurisht është e rëndësishme dhe nuk do të desha të keqkuptohem. Po këto rrjeshta janë ca sinjale alarmi të menduar së brendshmi, e të folur së jashtmi me njerëz të thjeshtë dhe me zemër, se mendësia jonë po kthehet në pikën e shërbëtorit, jo të punëtorit. Shërbëtori nuk është asnjëherë i lirë. E liria te jep dritë dhe horizont.

Kur fillova shkrimin, me thënë të drejtën isha pak në dyshim për titullin…Mund ta kisha vënë “Ne dhe Leku”, por në kushtet e jetës së sotme, për ngado që shkoj dhe për çfarë shikoj, nuk kishte si ta emërtoja ndryshe. Fuqia e lekut po e çalon ekzistencën e secilit prej nesh me shpejtësinë e prishjes së një hidroxhunte (mekanikët e kuptojnë termin, unë e mësova pak ditë më parë). Kur prishet hidroxhunta, gazin e makinës nuk e kontrollon më këmba jote. Dhe në këtë pikë, nuk e ke në kontroll timonin. Pushteti njerëzor humbet, sepse fuqinë e marrin hekurat. Dhe njeriu është i rrezikuar në çdo moment. Njësoj si me kartat e stampuara që quhen “lekë”. Në fund të fundit janë vetëm letra makinerie, që prodhohen nga një shpikje njerëzore.

Ky shkrim nuk është për më të dobëtin. As për ato njerëz e hallexhinj, që mundohen 24 orë për të shitur fruta, perime apo rroba të përdorura për një copë bukë. As për njerëzit e dlirtë. Ky shkrim është për njerëzit që lekun e kanë dhe e shtojnë me bujë ziliqare, që bëjnë sikur punojnë, që konkurrojnë njëri-tjetrin kush shëtit më shumë, kush hollohet nga trupi e kush trashet nga xhepi, kompromentohen, kompromentojnë. Bombardojnë njerëzit e thjeshtë pa nevojë, me lakmi dhe fotografi me apo pa ngjyra, nëpër ekrane të vogla dhe ekrane të mëdha.

E lakmia më pas merr frymë thellë nëper cepat e humbur të fshatrave të vendit, ku njerëzit luftojnë për jetën, punojnë me mund dhe më pas e çorodisin atë në një minutë të vetme. Sepse aureola që morën edhe këtë radhë nuk është ndriçim, është verbim. Ashtu siç u ndriçua, Aleksandri i madh, i cili para se ta linte fuqinë e tij, la porosinë e tij: “M’i lini duart jashtë kur të më varrosni, që njerëzit ta kuptojnë se ai që pushtoi botën, iku duarthatë”.

Të gjithë ashtu do ikim.

Leave a comment