Bujtina e bardhë me parmakë të kuq

Bujtina e bardhë me parmakë të kuq

Shpërndaj:

Rreth 7 kilometra në verilindje të Rrëshenit, në zonën e Mirditës, ndodhet një bujtinë e bardhë me parmakë të kuq, emri i së cilës ende nuk është vendosur nga Valentina dhe Ndue Nikolli, një çift mikpritës mirditorësh, përfaqësim i dashur të gjithë zonës së jeshtiltë dhe bujare në këtë kohë të bukur pranvere. Fshati quhet Kulmë, një pikë nisjeje për ata që u ngjiten maleve me këmbë. Bukuria e këtyre trojeve është e rrallë për nga kurorat e maleve që filtrin e ngjyrave e kanë natyral dhe ti nuk ke nevoje për syze me refleks që bota të të duket më e bukur.

Shtegu për te bujtina e bardhë është rrugë rurale e mirëfilltë që do të joshte makinat 4×4 apo rally, dashamirësit e guximshëm të aventurës. Aty u mblodhëm me një grup që kanë në zemër nismën dhe biznesin, nga Dibra, Mirdita apo Mallakastra, për të ndarë guximin për ide të reja, dashurinë për biznesin, dëshirën për të ndërtuar diçka kur një pjesë tjetër përpiqet ta anashkalojë dhe ta harrojë. Familjarët kishin përgatitur një gosti të tërë me ushqime të zonës dhe na servirën buzagaz gjithçka të mirë.

Kur e përgëzon Klaudian, gocën e vogël 6-vjeçare të shtëpisë, për mirësinë dhe urtësinë e saj, të përgjigjet “si shoqet”, një këmbanë e vogël për të mbajtur këmbët në tokë me thjeshtësi, ndonëse unë jam gjithnjë në krah të vetëbesimit të fëmijëve dhe kurajos që duhet t’u njihet dhe vlerësohet. Klaudia mbante dy vazo të vogla me karamele “Zana” në hyrje të bujtinës dhe kostumin tradicional të Mirditës, një përzierje ngjyrash dhe qëndismash që kthejnë në kohë dhe të japin njëfare paqeje të brendshme dhe të pushojnë sytë.

Fshati Kulmë është diku te 400 metra mbi nivelin e detit, ndërsa ne mbi re duke parë e shijuar mikpritjen mirditore.

#beautifulalbania #fitforfuture Vizion Ojf #mirdita #humansofalbania

Leave a comment