Turist në grimcë

Turist në grimcë

Shpërndaj:

Në një lartësi prej 1100 metrash, çizmet e verdha ecën në një kalldrëm 300 vjeçar dhe u ndalën në këtë folezë bukurie që shumëkush e quan Ballkoni i Krujës, por mua më pëlqen ta quaj Çatia e Krujës.

Këtu u mbrojt legjenda e Krujës, ku vajzat flijoheshin për një kuçedër e cila gjente qetësi vetëm me to (nuk e di pse nuk u flijuan asnjëherë burra), e megjithatë një burrë i shpëtoi… Sari Salltik, shenjti i cili ia preu 7 kokët kuçedrës me një shkop të mprehtë dhe më pas fluturoi me një mushkë që shkonte nën Korfuz me katër hapa. Gjurmët e tij i sheh akoma, sipas gojëdhënës dhe sipas krutanëve që jetojnë në një zonë ku bukuria e skajshme natyrore dhe vendndodhja e thepisur e maleve dhe e qytetit vetë, ka qenë më bujare, se vizioni i njerëzve.

Mali i Krujës arrihet nëpërmjet një rruge mes malesh të bardha, pjesë që ngjan me rivierën e Jugut, porse rrallë nga kjo Çati arrin të shohësh kaq bukuri njëherësh. Me një harkim koke, qafa përqafon gjithë Shqipërinë, Tiranën, detin, Kepin e Rodonit, Rrugën e Arbrit, Malin e Shëngjinit, Malin me Gropa, Lagunën e Patokut, Ishmin dhe në horizont, Ulqinin.

Njerëzit janë shumë të paqtë aty dhe të buzëqeshin pa të njohur. Një copëz toke shqiptare ku shpresa e mirë rron ende, pak si gojëdhëna e shenjtit dhe shtigjet e malit të prekura nga ngasjet e bukura të historisë dhe shkëmbinjve krutanë. Ashtu me formë të rreptë, por mburonjëse për të gjithë ne që ende hallakatemi për të mbrojtur veten, pa ditur ende si…

Arlinda Çausholli

#beautifulalbania

Leave a comment