(Jo të Beethoven, por të Socializmit)
Për të shtatën herë më erdhi në telefon nga të njohurit, emri i patronazhistes time, dhe më pas edhe linku i gërmimit i të të gjithave të dhënave tona. Një gjurmim, të cilin ngado që ta kapësh, për miqësi, për kuriozitet apo për favor, më jep aciditet në stomak, më shqetëson dhe më paralajmëron.
Kjo është vetëm maja e ajsbergut, meqë analizat mirë është t’i fillojmë nga vetja. Pjesa tjetër, që më alarmon së brendshmi dhe po e shkruaj së jashtmi, është zelli me të cilin një grup njerëzish ka sistemuar me përpikmëri të dhënat tona në një sistem që do ta kishim zili, në rast emergjencash për kombin, qofshin këto tërmete, shpërthime zjarri apo dhe përmbytje. Do ta doja një person që kujdeset për familjen time apo lagjen time në raste fatkeqësish natyrore, atëherë kur informacioni është i dobishëm dhe më i vlefshëm se kurrë, e që mund të shpëtojë edhe jetë. Qytetarët e këtij vendi nuk banojnë gjithmonë fizikisht afër spitaleve apo bashkive, e një ndihmës i tillë në raste solidariteti njerëzor quhet ëngjëll në veshje poetike dhe vullnetar në veshje dobie.
Të vijmë tek vota. Edhe kjo fatkeqësi tjetër sociale e jona, për mënyrën si përdoret.
Me fjalorin e Cambridge, fjala “patronazhist” në thelb shpjegohet me dikë që nuk është i zoti për një veprim apo fushë të caktuar dhe si i paaftë, i jepet një njeri më i aftë që ta përmirësojë dhe ky i rri ngjitur deri në madhështi, deri sa i paafti ia arrin qëllimit. Vetëm kuptimi më përplas me sinonime të patronazhistit, si tutor, informator dhe spiun. Elisa, emri që rri përbri emrit tim, është studente dhe ndërkohë aspiron të informojë saktë mbi votën time dhe personin tim.
Ligjërisht, ndonëse disa e kanë marrë me komicitet dhe pa drama, mendoj se të dhënat e gjithësecilit nga ne, deri në detajet më të vogla, janë përpiluar, dhe po lundrojnë nëpër telefona të njerëzve të panjohur. Kush merret me çështje sociale dhe vlerësim topitjeje shoqërore, duhet të shkojë më tej në lidhje me rreziqet e të dhënave personale, sepse është një bazë e sigurtë për mundësi veprash penale nga keqbërës apo dhe survejim qesharak nga asgjëbërës.
Në këtë vend, shumë gjëra nuk merren seriozisht, sepse të ishin marrë – në këto 30 vjet – nuk do ta kishim politizimin e jetës në këtë shkallë të tejskashme të frikshme, kur shoqëria jonë ka andralla të tjera për të përballuar dhe për t’i përmirësuar.
Politizimi i jetës sonë ka mbështjellë të rinjtë, moshën e mesme, të moshuarit, ndonëse politika shqiptare nuk e vlerësoi asnjëherë dinjitetin e njeriut dhe as punën e tij, porse vetëm shërbimin ndaj saj. Ndaj, ndonëse jetojmë në vendin e çudirave kur këto zgjasin tre ditë, koncepti Elisa ndërkohë e ka thurur botën e saj të çudirave, me kokën në komunizëm dhe këmbët në demokraci.
E keqja më e madhe nuk është se kanë dalë të dhënat tona sheshit, por përçarja që shqiptari i bën shqiptarit me dy kategori të tjera tashmë: patronazhist dhe i survejuar.