Goli i jetës

Goli i jetës

Shpërndaj:

Goli i jetës

Dikur, të shkoje në stadium me pa skuadrën e zemrës ishte ritual për të cilin ishte përgatitur gjithë familja. Unë, fëmijë atëherë, e ndiqja me kërshëri këtë zakon të bukur të shtëpisë së madhe të gjyshërve të mi – një ndërtesë e vjetër, por mbushur me hare e batuta – në rrugicën e “Tisazhit”, në Shkodër.

Çdo javë shihja të gjithë burrat e rinj dhe të vjetër që mblidheshin përpara hyrjes së shtëpisë, dy orë para ndeshjes kur luante Vllaznia, ndërkohë që mbi samarët e biçikletave vendosej me kujdes një pllakë bukë peshku, në formë drejtkëndëshe, e cila lidhej mirë se mos e merrte era. Ishin vitet 80-të. Mbi këtë pllakë uleshin të afërmit e mi në shkallët e ftohta të stadiumit “Loro Boriçi” bashkë me ëndrrat e tyre, por lumi i tifozëve shkodranë që fillonte nga qendra e Shkodrës deri në muret e stadiumit i kishte ngrohur deri në rrëzë.

Ngaqë buka e peshkut grimcohej vazhdimisht, gjyshi im ankohej se shkallët e stadiumit bëheshin pis dhe pas kësaj ankese me vend, nëna ime, u qepi nga një mbulesë pëlhure të gjithave dhe problemi u zgjidh. Pas kësaj, tifozët pastërtorë të familjes sime u rehatuan për mbështetje të pakufishme ndaj Vllaznisë dhe emrave të famshëm të asokohe si Fasli Fakja, Hysen Zmijani, Ferid Rragami, Fatbardh Jera, Arvid Hoxha e shumë të tjerë.
Kujtimi i bukës së peshkut që nuk shprishej më, më solli te Vllaznia e sotme që po ecën nën katërshen e një gjermani, një kroati dhe dy shqiptarëve, dy në menaxhim e dy në stafin teknik. Thomas Brdarić, Matko Djarmati, Alban Xhaferi dhe Elvis Plori. Po ecën…domethënë po vrapon! Asnjë yll pompoz mes lojtarëve, asnjë emër i madh, por bashkë formojnë një bashkësi rrëzëllitëse që mënjanë lajmeve dhe kufizimeve të pandemisë, i shtyn futbollistët e skuadrës sime të zemrës, të brohororasin nga fitorja në fitore dhe të dëgjojnë trajnerin tek thotë “Rrini të përulur”.
Fitoret vijnë nga thjeshtësia.

Pas 14 ndeshjeve, Vllaznia ka ende edhe 22 të tjera dhe rruga është e gjatë. Por kryeson me nëntë pikë nga vendi i dytë dhe me gjasë ekipi do të jetë i pamposhtur.

Vështroj çdo lajm dhe çdo fytyrë të klubit si atëherë, dhe besoj se skuadra që i mbijetoi rënies nga Kategoria e Parë apo tallazeve të shumta me të cilat çdo sport tek ne përballet, ka gjetur çelësin e bashkimit për të ecur përpara, dhe për të gëzuar tifozët – të pranishëm, por nga larg – me një leksion të madh të besimit, të këmbëve në tokë dhe kokës së ulur. Urime djemve.
Keni bërë golin e jetës.

Arlinda Çausholli

#ForcaVllazni

Leave a comment