Frikë nga pandemia apo policia?

Frikë nga pandemia apo policia?

Shpërndaj:

Historia e vrasjes së Klodian Rashës, 25-vjeçari që doli të blinte nje paketë cigare por bleu vdekjen në mënyrë të papritur sepse kishte thyer orën policore, është një nga ngjarjet më të hidhura dhe tronditëse që shqiptarët duhet ta identifikojnë si të tillë, dhe paralajmëruese nëse jemi të mençur ta diagnostikojmë. Në gjykimin e deritanishëm, ngjarja që protagonist pati një uniformë blu, është një shembull i paaftësisë njerëzore, profesionale dhe mbetje e trysnisë së përditshme për të qenë të dhunshëm kush ka një armë, kush ka një karrige pushteti dhe kush mendon se është ligji, pa e zbatuar vetë atë.

A duhet të vdiste Klodian Rasha? A kushton jeta e një njeriu sa nje paketë cigare? Jo, për të parën. Po, për të dytën.

Nuk është me vend të përmend të riun që familjes ia thau zemrën dhe ne na shtrëngoi ditën me lajmet rreth tij, porse shteti im ka treguar që edhe në këtë pandemi, kur dhembshuria duhet të shpërndahet përpara vaksinës, kur nevoja për mbështetjen e qytetarit është më e madhe se çdo gjë tjetër, kur politikat e lehtësimit duhet të shihen, të ndjehen dhe të jenë tituj të mëdhenj mediatikë, ne përplasemi me njëri-tjetrin kush në politikë, kush me taksa ndaj qytetarëve për parkingje të ashtuquajtura të gabuara, ndërkohë që i vetmi solidaritet masiv mbeten makinat e qytetarëve që shtrembërohen për t’u hapur rrugën autoambulancave të panumërta gjatë ditës nëpër rrugët e Tiranës.

Pa u viktimizuar, shqiptarët janë të pambrojtur nga askush. Në një kohë, kur trazimet për të tashmen, frikërat për të ardhmen, njerëzit që sëmuren përditë, armata e një brezi doktorësh që po përplasen me një virus që nuk e njohin mirë dhe jeta gjysmake që po përjetojnë qytetarët, shteti i përfaqësuar nga individë që duhet të mbrojë qytetarin dhe ta mirëkuptojë, gjen kohën dhe vendin të vendosë disiplinë fatale, kur disiplinë nuk ka, as në menaxhim pandemie dhe as në menaxhim njerëzor.

Dhembshuria është fjala e parë e një shteti, fjalori apo abetareje.

#arlindaçausholli

Leave a comment