TEATRI I VJETËR?

TEATRI I VJETËR?

Shpërndaj:

Do të më pëlqente që një godinë sado të shkatërruar, ta ristrukturonim, e ta shpallnim “Monument Kulture” që mbrohet nga shqiptarët. Do të quhej “Teatri i Vjetër” dhe ne që do të arrijmë të riun, apo dhe brezat e ardhshëm, do të kenë një gjë për të parë, një faqe libri për të rrëfyer, një mur për ta prekur dhe ca ndjesi njerëzore për të çmuar… Meqë kemi pazare të vjetra, mund të kemi dhe një teatër të vjetër.
Kati i parë i një kulle nuk quhet teatër, pavarësisht mendjes moderne të përfshirjes së kullës në të, apo teatrit në të. Me gjasë, koncepti “teatër” pas dhjetë vitesh do të zhduket. Kujtoj kinema “17 Nëntorin” apo “Republikën”. Njerëzit do ikin te kulla, do futen në kullë dhe do të shikojnë nga një frëngji… ndjesë, nga një dritare.

Konceptet e jetës udhëtojnë bashkë me njeriun. Njeriu i ruan sa të ketë frymë, shoqëria i përcjell nëpërmjet shkollës dhe gjyshërve, dhe ndërton me empati, e jo me uri, që të bëhet dallimi i së vjetrës nga e reja, në harmoni. E në të njëjtën kohë – ndërton bashkimin dhe jo përçarjen me thikë të historisë, apo me dhunë të njerëzve që kanë kontribuar për mbajtjen gjallë të artit dhe kulturës. E vështirë të bësh art në një kohë ku ndjesitë njerëzore janë drejt tharjes dhe frymëzimi drejt çoroditjes. Kështu që sakrifica shpaguhet dhe nuk harrohet.

Kjo është ajo që presim besoj: ruajtjen e Teatrit Kombëtar, një nga godinat e pakta me vlerë morale – qoftë dhe e rrënuar dhe me lagështi – dhe ndërtimin e një Teatri të Ri, ndërtesë më vete, me sheshin e vet apo rrugën e vet. Mbase bëjnë një kat më pak të kullave diku dhe e restaurojnë Teatrin e Vjetër.

Artistët, kushdo qofshin, janë të shenjtë. Bileta 300 lekëshe që blejmë për çdo shfaqje, është çmimi qesharak dhe gati i paturp që paguajmë për të shkuar në teatër dhe për t’u ushqyer me art për gati dy orë, nga këta njerëz që përkushtohen në horizont dhe dije me aq sa munden, dhe që vitet i kanë thurur dhe bjerrë – në disa raste – pranë këtij teatri që për ta është vetë jeta.
Godinat e vjetra thonë që kanë shpirt. Kush ka pranë një 70-vjeçar, le ta përqafojë.

Leave a comment