Bella Ciao

Bella Ciao

Shpërndaj:

BELLA CIAO

Arlinda Çausholli

Në mesin e një zbrazëtie të pandemisë COVID-19, kur shteti dhe shqiptarët bëjnë përpjekje të përbashkëta të mbrojnë shëndetin, ca nga zori e ca nga urdhërat e qeverisë, një mëngjes zgjimi si ky i sotmi do të lërë damkën e vet tek të gjithë qytetarët që urrejnë dhunën, risjelljen e veprimeve të diktaturës ndaj njëri-tjetrit dhe do kujtojë gjithmonë shembjen e idhujve të atyre që i krijuan.

Asnjë referendum, asnjë dialog, asnjë pyetje – qoftë edhe me telefon – nëse shqiptarët do ishin dakord që një godinë 70-vjeçare si Teatri Kombëtar të shembej, pa shtuar arsyet e urgjencës, kusarinë e natës dhe shkatërrimin e një fadrome ndjellakeqe, kur njerëzit ishin ende brenda ndërtesës.

Ndjellakeqe apo simbol i rifillimit të një nervi qytetar? Duhet zgjuar ky nerv, ose duhet krijuar nëse është zhdukur.
Rezistenca prej më shumë se dy vitesh e të gjithë atyre që u bënë muri i teatrit, kushdo qofshin e si u përpoqën duhej respektuar. Shteti e ka për detyrë të ushqejë dinjitetin e qytetarit të vet, e jo të sillet me artistë e gazetarë me ato pamje të turpshme që na shfaqen para syve.

Politika të rrijë mënjanë sidomos tani, sepse ndot çdo shpirt që luftoi për mbrojtjen e teatrit, ndërsa ne të tjerëve na e shuan përherë shpresën dhe besimin që kauzat për bashkim ndaj çdo proteste janë të qashtra dhe të bardha si bora. I kemi parë si u ndanë e si u pajtuan gjatë këtyre 30 viteve, vetëm për interesat e veta të ngushta dhe asnjëherë në emër të Shqipërisë dhe të sakrificës për këtë vend.

Teatri, u sakrifikua për gjumin tonë letargjik. Ndihemi të zënë në çark, por vjen një kohë që zgjimi është i pashmangshëm. Atëherë kur nuk e pret. Atëherë kur nuk e sheh. Atëherë kur jo vetëm sytë janë të verbër. Teatri nuk mund të krahasohet as me pazarin e as me parkun e lojërave. Eshtë një histori, e historia ruhet, restaurohet dhe shfletohet.

Shpresoj fort, të zgjohemi nesër me mendim të ri, me mendimin e ri të vlerës së një vote, mendimin e një revolucioni të brendshëm dhe të jashtëm që i thur lavdi dashurisë për vendin ku lindëm, vendin ku mijëra shqiptarë e braktisën dhe vazhdojnë ta braktisin për një jetë më të mirë, vendin ku rinia e sheh pa shpresë e të ardhme. Vendin, ku prindërit tanë presin të kalojnë vitet heshtur, sepse dinjiteti u ka rënë bashkë me pensionet qesharake të një sistemi që vlerësoi pasurinë e vënë brenda natës të shumë grykësve me të cilët përfaqësohet, dhe asnjëherë punën, prodhimin, bukurinë e njeriut dhe mirëqënien e tij.

Leave a comment